Me rastin e masave më të fundit të Prishtinës, të cilat sipas mediave serbe, praktikisht bllokojnë tërësisht mallrat serbe në Kosovë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq është takuar sonte pas orës 17.30 me ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe kreun e delegacionit të BE-së.
Vuçiq, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, paraprakisht ka zhvilluar takime edhe me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës.
Po sipas tyre, presidenti serb gjithashtu ka thirrur një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për orët e vona të ditës së sotme.
Qeveria e Kosovës vendosi sot të rrisë taksat mbi produktet nga Serbia me 100 për qind.
Dhe sipas mediave serbe, ky veprim nga Prishtina mund të konsiderohet si një nga situatat më sfiduese dhe më të vështira politike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marr të mërkurën vendim që të vendosen masa mbrojtëse prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për të vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina, e ka miratuar kabineti qeveritar.
Ai po ashtu ka kërkuar edhe largimin e të gjitha produkteve në të cilat shkruan ‘Kosova e Metohija’.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se e përkrahë këtë propozim për vendosjen e këtyre masave.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur taksë prej 10 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e cila kishte pasur efekte në rritjen e të hyrave për buxhetin e shtetit. /Telegrafi/