Telegrafi

Kosova vendos marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Fixhit

Ceremonia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike është zhvilluar në zyrat e Ambasadës së Kosovës në Tokio.

Në dokument shprehet vullneti i Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Fixhit për nxitjen e mirëkuptimit reciprok dhe fuqizimit të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy popujve.

Po ashtu riafirmohet përkushtimi i dy qeverive për parimet e Kombeve të Bashkuara dhe të të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, respektimin e pavarësisë kombëtare, barazisë ndërmjet shteteve, integritetit territorial, traktateve ndërkombëtare dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve.

Fixhi e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës në nëntor 2012. /Telegrafi/