Site icon Telegrafi

Kosova vendi më reformator për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla

Kosova është vlerësuar nga juria ndërkombëtare e Forumit Botëror të Investitorëve Engjëj (WBAF 2017), si vendi më reformator sa i përket mbështetjes së ndërmarrjeve të reja (start-up).

Në Forumin Botëror të Investitorëve Engjëj (WBAF 2017), që po mbahet në Stamboll, Kosova fitoi çmimin “Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë.

Sipas njoftimit nga Ministria Tregtisë dhe Industrisë, ky çmim u pranua nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila prezantoi në këtë forum ekosistemin e ndërmarrësisë në Kosovë si dhe udhëhoqi njërin nga panelet më të rëndësishme të diskutimeve lidhur me rritjen e qasjes në financa për ndërmarrjet përmes krijimit të instrumenteve financiare inovative.

Në njoftim thuhet se juria ka marrë për bazë reformat sa i përket fillimit, përkatësisht regjistrimit të bizneseve, duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore ku Kosova është ngritur në vendin e 13-të në nivel botëror nga vendi i 47 sa ishte një vit më parë. Po ashtu juria ndërkombëtare ka konstatuar se Kosova ka lehtësuar procedurat burokratike, ka thjeshtëzuar sistemin e tatimeve si dhe ka ndërtuar një nga regjimet më të ulëta të taksave në Evropë, me 10 % tatim në të ardhura dhe me 0 % tatim në dividendë”, thuhet në njoftim.

“Çmimi vjen pas një periudhe të angazhimeve serioze të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e mjedisit afarist në vendin tonë dhe krijimit të politikave sa më të favorshme për ndërmarrësi dhe tërheqje të investimev”, thuhet në njoftim.

Në Forumin Botëror të Investitorëve Engjëj (WBAF 2017) po marrin pjesë rreth 450 investitorë nga 54 vende të botës, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, asociacioneve të biznesit nga gjithë bota.

Ministrja Bajrami në adresimin e saj theksoi se NVM-të përbëjnë rreth 90% të totalit të ndërmarrjeve në nivel botëror dhe janë bartëset kryesore të vendeve të punës. Megjithatë, qasja në financa është një nga vështirësitë kryesore për ndërmarrjet e reja të cilat kanë ide dhe projekte inovative, mirëpo e kanë të vështirë të gjejnë financim adekuat për jetësimin e projekteve të tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version