Në të vërtetë, suspendimi i përjetshëm i Berishës mund të ndodhë të zgjasë tetë muaj apo edhe katër muaj, varësisht prej datës se kur do të mbahet Kuvendi zgjedhor i FBK-së, i cili është i paraparë të mbahet në muajin tetor, por që, sipas zyrtarëve, mund të mbahet edhe më herët, pas përfundimit të këtij edicioni.
Berisha është dënuar të mërkurën mbrëma për shkak të sulmit fizik mbi arbitrin Xhelal Mumini në ndeshjen ndërmjet Trepçës dhe Yllit, të zhvilluar fundjavën e shkuar në Vushtrri. Kjo ndeshje është ndërprerë dy minuta para përfundimit, kur ndodhi sulmi dhe më pas është regjistruar me rezultatin zyrtar 20:0 në të mirë të Trepçës.
Fillimisht, Berisha ka mundësinë të ankohet në Komisionin e arbitrazhit, i cili deri më tani nuk ka zbutur apo falur asnjë dënim të përjetshëm. Por ka një organ që është "më i dhimbshëm" ndaj këtyre rasteve dhe rëndom fal dënimet e mëdha – ai është Kuvendi i FBK-së, që është organi më i lartë i federatës.
Të gjitha dënimet e përjetshme që janë dhënë në basketboll, Kuvendi i FBK-së i ka falur. Në pesë vjetët e fundit janë shqiptuar tri suspendime të përjetshme, përfshirë këtu edhe dënimin e Berishës.
Në prill të vitit 2011 me dënim të përjetshëm ishte suspenduar basketbollisti i Trepçës, Safet Mustafa për shkak të një incidenti që u shkaktua në ndeshjen kampionale kundër skuadrës nga veriu i Mitrovicës, Bambi. Dënimi tjetër i përjetshëm ishte dhënë në tetor të vitit 2012 për basketbollistin e Dritës, Qëndrim Demi. Demi kishte rrahur arbitrin Xhavit Beqiri gjatë ndeshjes kampionale kundër RTV 21. Të dy dënimet më vonë ishin falur në Kuvendin e FBK-së. Pos suspendimeve të përjetshme, Kuvendi i FBK-së ka falur edhe suspendime të tjera, siç ishte ai i Valdet Grapcit për tre vjet.