Telegrafi

Kosova, vend i pasigurt për media

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, sipas statistikave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), e gjen Kosovën me rritje të rasteve të kërcënimeve, të cilat janë raportuar në këtë institucion.

Nga 15 deri në 18 raste të tilla sa ishin raportuar deri më 2013, në vitin 2014-2015 janë raportuar prej 24 deri në 27 raste, shkruan sot Koha Ditore.

Bazuar në vlerësimet e drejtuesve të AGK-së, por edhe të njohësve të kësaj fushe, Kosova vazhdon të mbetet vend i rrezikshëm për fushëveprimin e medieve.

Në anën tjetër, edhe pse nga “Freedom House” mediet në Kosovë vazhdojnë të mos kenë lirinë e duhur, në raportin për këtë vit ajo e ka renditur dy vende më lart krahasuar me raportin e vitit 2015.

Kryetari i AGK-së, Zekirja Shabani, ka thënë për “Kohën Ditore” se bazuar në rastet e raportuara nga kolegët gazetarë për kërcënimet, sulmet e pengesat e tjera në punë, si dhe duke marrë për bazë raportet ndërkombëtare për lirinë e medies në vend, të bërit gazetari në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Foto: Arkiv/Ilustrim