Eksperti italian i futbollit, i cili të premten dhe të shtunën ka qëndruar në Kosovë për një seminar me kryetrajnerët e skuadrave të Superligës së Kosovës dhe ndihmësit e tyre, mendon se Kosova është një vend me perspektivë në futboll.
“Për dy ditë sa punuam këtu pata rastin të shoh mjaft trajnerë të zgjuar dhe shumë futbollistë të mirë e të mençur, të cilët për mrekulli thithën dijen teorike dhe të cilën me mjaft përkushtim e demonstruan në praktikë”.
“Këtu pashë shumë trajnerë të zot dhe një potencial të madh të lojtarëve dhe kjo e bën Kosovën vend me perspektivë në futboll”, ka thënë Ferrara.
Krahas Ferrara në këtë seminar për trajnerët ka ligjëruar edhe drejtori teknik dhe instruktori i trajnerëve të Federatës Shqiptare të Futbollit, Prof. Astrit Maçi.
Në seminar është folur për shumë tema, që nga ndërtimi fillestar i një skuadre deri te një skuadër që duhet të përballojë edhe sfidat ndërkombëtare, ndërsa më pas është përcjellë edhe me punën praktike që u demonstrua në stadiumin “Agron Rama” në Kastrot me të rinjtë e skuadrës së KEK-ut. /Telegrafi/