Telegrafi

Kosova vend i importeve

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Tregtisë së Jashtme lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin tetor 2014.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin tetor 2014 prej 205,3 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit 2013, ku deficiti ishte 192,6 milionë Euro. Eksporti mbulon importin me 12.6 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin tetor 2014 kishte vlerën 29,6 milionë euro, e cila është një rritje prej 13.2 për qind, ndërsa importi ka një rritje prej 7.4 për qind, ose në vlerën 234,9 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 52.9 për qind e eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.7 për qind produktet minerale; 7.0 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.9 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.2 për qind produktet bimore; 4.0 për qind tekstili dhe artikujt prej tij, etj”, ka njoftuar ASK-ja.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 19.7 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.7 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.5 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.3 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.0 për qind produktet e industrisë kimike; 6.1 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.7 për qind tekstili dhe artikujt e tekstilit; 5.6 për qind mjetet e transportit etj.

“Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partnerë kryesorë tregtarë janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 19.3 për qind për eksport dhe 42.9 për qind për import. Ndërsa, vendet e CEFTA-s marrin pjesë me 40.2 për qind për eksport dhe 30.5 për qind për import, në raport me tetorin e vitit 2014. Përqindja më e madhe e eksportit ishte në Kinë 27.5 për qind, Maqedoni 13.5 për qind, Shqipëri 12.9 për qind, Mali të Zi 7.0 për qind, Serbi 5.6 për qind, Gjermani 4.7 për qind, Itali 4.3 për qind etj”.
Ndërsa, sipas të dhënave, përqindja më e madhe e importit është nga Serbia 16.4 për qind,
Italia 10.2 për qind, Gjermania 10.1 për qind, Turqia 8.7 për qind, Kina 8.4 për qind, Shqipëria 5.9 për qind, Maqedonia 5.4 për qind etj. /Telegrafi/