Telegrafi

Kosova U22 e pandalshme në Ballkanik – pas meshkujve, edhe femrat sigurojnë finalen e madhe

Përfaqësuesja U22 e Kosovës e volejbollit në rërë, në konkurrencën e femrave kësaj radhe, po ashtu ka siguruar finalen e madhe të Kampionatit Ballkanik, i cili po zhvillohet në Maqedoninë e Veriut, për këtë grupmoshë.

Ekipi i vashave “Dardane”, i përbërë nga super volejbollistet Melirona Avdullahu dhe Yllka Jashari, siguruan finalen e madhe pasi në gjysmëfinale mposhtën ekipin e Turqisë 1 (Idil Gur/Ceylin Sayar), me rezultat 2-1 (22-20, 19-21, 15-7).

Ishte një fitore e vështirë por tejet e rëndësishme për vashat tona, të cilat nga fillimi i këtij Ballkaniku vazhdimisht kanë treguar paraqitje të mira.

Në finalen e madhe, kosovaret do të ndeshen me Turqinë 2 (Ecem Aksoy/Esra Demirkiran), të dielën, me fillim nga ora 20:10.

FVK uron vashat U22 për plasmanin në finale dhe shpreson në ngritjen e trofeut të kampioneve ballkanike për këtë vit.