Site icon Telegrafi

Kosova U21 synon fitoren ndaj Izraelit

Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes kundër Izraelit, që zhvillohet të martën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në orën 13:00.

Për shkaqe sigurie kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e tifozëve.

Dardanët U21 nën drejtimin e përzgjedhësit Afrim Tovërlani dhe ndihmësve të tij edhe sot kanë punuar me përkushtim të madh, derisa synojnë që në ndeshjen e nesërme t’i gëzohen fitores, pasi në dy ndeshjet e fundit kundër Bullgarisë janë ndalur në barazim.

Përzgjedhësi Tovërlani pas stërvitjes së sotme edhe një herë ritheksoi se nuk ka dëshirë të flasë për rezultat të ndeshjeve para se ato të luhen, por vuri në pah pakënaqësinë e tij me ndeshjen e fundit kundër bullgarëve, e veçmas me repartin e mbrojtjes.

Megjithatë, ai ka shprehur shpresën se gjatë tri ditëve të fundit kanë arritur t’i eliminojnë gabimet dhe ta analizojnë kundërshtarin e radhës.

Ndërkaq, futbollistët Mustafë Abdullahu dhe Redon Ismaili kanë deklaruar se i gjithë ekipi është i motivuar për këtë ndeshje dhe do të synojnë fitoren. /Telegrafi/

Exit mobile version