Përfaqësuesja e Kosovës U21 do të fillojë sot (e enjte) kampanjën për kualifikimet e kampionatit evropian Euro 2021 në ndeshjen në udhëtim te Andorra.
Kosova U21 e ka zhvilluar të mërkurën stërvitjen e fundit para ndeshjes së sotme kundër Andorrës, me të cilën do ta nisë fushatën kualifikuese për Evropianin 2021.
Djelmoshat e drejtuar nga trajneri Rafet Prekazi janë përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, pasi i kanë nisur stërvitjet qysh më 27 maj dhe kanë punuar me intensitet të plotë.
Ndërkohë, në stërvitjen e fundit përzgjedhësi Prekazi ka dhënë këshillat e tij për skemën e lojës me të cilën synon të marrë fitore në duel me Andorrën.
Entuziazmi për fitore tek Dardanët e rinj është i madh, por sigurisht se suksesi synohet duke e respektuar kundërshtarin dhe duke e dhënë maksimumin në fushën e lojës.
Ndeshja Andorra U21 – Kosova U21 do të zhvillohet në orën 18:30 në Estadi Comunal në Andorra la Vella. /Telegrafi/