Përfaqësuesja e Kosovës U21 i ka filluar, sot (e hënë), përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese për Evropianin 2021, që do t’i zhvillojë kundër Andorrës (më 6 qershor si mysafire) dhe kundër Turqisë (më 11 qershor në Prishtinë).
Në stërvitjen e parë, e cila u mbajt në stadiumin e Flamurtarit, përzgjedhësi Rafet Prekazi, me ndihmësit Erdogan Celina e Naser Prapashtica kishte në dispozicion 20 futbollistë, derisa nga e mërkura ekipit do t’i bashkohen lojtarët që në fundjavë kishin ndeshje Lirim Kastrati, Besfort Kolgeci dhe Kreshnik Krasniqi.
Më 1 qershor Kosovës i bashkohet edhe mesfushori i Teutës, Roni Gashi dhe më 3 qershor Arbenit Xhemajli, lojtarë të cilët ende kanë obligime ndaj klubeve të tyre.
Gjatë seancës së sotme vërehej atmosferë shumë e mirë lojtarëve, të cilët për rreth dy orë u stërvitën me përkushtim.
Përfaqësuesja U21 do t’i vazhdojë stërvitjet në stadiumin e Flamurtarit çdo ditë deri më 3 qershor para se të marrë rrugë për në Andorrë për ndeshjen e parë kualifikuese.