Telegrafi

Kosova U21 nis përgatitjet, Tovërlani e Avdyli me shpresa për ndeshjet ndaj Polonisë dhe Estonisë

Kombëtarja e Kosovës U21 ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të 21-vjeçarëve, ndaj Polonisë më 11 tetor dhe Estonisë më 14 tetor.

Atmosfera pozitive u vërejt që në seancën e parë stërvitore, ndërsa skuadra e Dardanëve të rinj është duke ndjekur një seri të shkëlqyer prej pesë ndeshjeve pa humbje, shkruan FFK.

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani theksoi se objektivi i ekipit që nga fillimi ka qenë të grumbullojmë sa më shumë pikë, të përmirësojnë vazon dhe të ngjiten në renditjen e FIFA-s.

“Me pak fat, do të kishim pasur më shumë mundësi, megjithëse matematikisht ende kemi gjasa. Por kemi qenë në një grup të fortë, me skuadra si Gjermania, Polonia, Bullgaria, dhe gjithashtu Izraeli, që ndoshta për arsye të tjera nuk ka performuar si pritej. Mund të them se ky ka qenë grupi më i fortë i këtij cikli kualifikues”, tha Tovërlani.

Duke folur për ndeshjen ndaj Polonisë, Tovërlani vlerësoi cilësitë e kundërshtarit: “Polonia ka një të ardhme të ndritur në futboll sepse kanë investuar shumë dhe ka ndërtuar politika e strategji për gjeneratat e reja. Ne, nga ana tjetër, sapo jemi pranuar dhe jemi duke u rritur gradualisht në të gjitha fushat. Do të mundohemi t’i shfrytëzojmë dobësitë e tyre, edhe pse janë një skuadër e fortë. Nuk do të thosha se nuk shpresojmë dhe nuk mendojmë për rezultat të mirë, përkundrazi, por gjithsesi atë do ta mbajmë më shumë për vete se sa ta shprehim para ndeshjeve”, ka shtoi ai.

Tovërlani theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkimit brenda ekipit: “Nuk i dalloj lojtarët që luajnë në Superligë nga ata që luajnë jashtë. Për mua, të gjithë janë të barabartë dhe janë fëmijë të tokës dardane. Kjo është një gjeneratë e mirë dhe dita-ditës liga jonë po përmirësohet, duke u dhënë mundësi të rinjve të dëshmohen. Ata që tregojnë veten, do të jenë gjithmonë të ftuar”.

Ndërkaq, Milot Avdyli shprehu optimizëm për formën e ekipit. “Besoj se do të kemi rezultate pozitive, ashtu siç kemi pasur në të kaluarën. Kemi pesë ndeshje pa humbje dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu. Duke pasur parasysh që kemi luajtur më parë kundër Polonisë dhe e njohim mirë lojën e tyre, shpresojmë në një rezultat pozitiv dhe padyshim do të japim maksimumin”, theksoi Avdyli.

Kombëtarja U21 do të zhvillojë seancën e radhës stërvitore nesër, në orën 11:00, në stadiumin e Kampit Nacional në Hajvali.