Site icon Telegrafi

Kosova U21 e nis vitin me miqësore kundër Katarit

Aktivitetin e parë të vitit 2021 Kosova U21 do ta zhvillojë në pranverë.

Në fakt, më 26 mars Dardanët e rinj do të përballen me Katarin në kryeqytetin Doha, ndërkohë që ekziston mundësia të zhvillohet edhe një miqësore tjetër tri ditë më pas.

“Miqësorja me Katarin vjen si rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy federatave. Ndonëse ky takim ka kohë që është aranzhuar, gjithçka do të varet nga gjendja me pandeminë.  Situata me COVID-19 do ta determinojë edhe praninë e lojtarëve kosovarë, të cilët janë të angazhuar në klubet evropiane”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Në Doha të Katarit do ta ketë debutimin përzgjedhës i ri i U21, trajneri gjerman Michael Nees, i cili u emërua në këtë pozitë muajin e kaluar.

Ai në këtë grumbullim do të ketë në dispozicion futbollistët e gjeneratës 2000/2001.

Ky grumbullim në Katar do t’i shërbejë Kosovës  U21 për t’u përgatitur për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2023, ku bën pjesë në Grupin G së bashku me Anglinë, Republikën e Çekisë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Andorrën.

Ndeshjen e parë kualifikuese Kosova U21 do ta luajë më 8 qershor si vendase kundër Andorrës. /Telegrafi/

Exit mobile version