Përfaqësuesja U-19 ka shënuar edhe fitoren e dytë në kuadër të përgatitjeve për rrethin elitë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, i cili do të zhvillohet prej 21 deri më 27 mars në Portugali.
Pasi në ndeshjen e parë Kosova mundi Azerbajxhanin, me rezultat 1:0, sot Kosova ka shënuar një fitore bindëse kundër Kombëtares U-17 të Kazakistanit.
Në të vërtet edhe pse rezultati ishte i thellë prej 4:0, Kazakistani u tregua mjaft i mirë, por djemtë e Kombëtares tonë U-19 bën diferencën.
Shënues për Kosovën ishin Edison Kqiku, Lot Celina, Liridon Balaj dhe Egzon Gashi.
Pas ndeshjes përzgjedhësi Ramiz Krasniqi u shpreh ”Ishe një ndeshje e mirë e shumë cilësore. Pati shumë aksione e bashkëveprime të bukura dhe mjaft raste për shënim. Shënuam katër herë. E mira ishte se patëm rastin të provojmë të gjithë futbollistët e kjo na mundësoi të shohim cilësitë individuale të secilit veç e veç por edhe si kolektivitet”.
Kosova ndeshjen e radhës sërish do ta zhvillojë me Kombëtaren U-19 të Azerbajxhanit të dielën më 28 janar.
Ndërsa sipas fjalëve të drejtorit për marrëdhënie ndërkombëtare dhe ekipeve të përfaqësueses, Artan Govori me qëllim të përgatitjes sa më të mirë duke shfrytëzuar kohën dhe kushtet e mira, përfaqësuesja U-19 do të qëndrojë deri më 3 shkurt në Antalya.
Kosova më 1 shkurt do ta zhvillojë edhe ndeshjen e katërt, kësaj radhe me U-21 të Shakhtarit. /Telegrafi/