Përfaqësuesja e Kosovës U19 në konkurrencën e vajzave ka shënuar fitoren e dytë në kuadër të Grupit 3 në Ligën B për kualifikimet e Evropianit “Lituania 2024”.
Pas fitores ndaj Azerbajxhanit, të përzgjedhurat e Albina Rrahmanit kanë shënuar fitore në duel me Moldavinë, me rezultat bindës 3:0.
Dardanet kaluan në epërsi në minutën e 19-të përmes Alba Shabanit. Vetëm tre minuta më vonë Lorita Islami shënoi nga penalltia, për t’i çuar shifrat në 2:0, me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë vashat dardane luajtën me komoditet dhe ruajtën energjitë për ndeshjen e tretë kundër Sllovenisë, e cila do të përcaktojë fituesin e grupit, që njëherësh do të mundësojë promovimin në Ligën A në kuadër të këtij cikli kualifikues.
Mirëpo, gjatë kësaj pjese Kosova e gjeti edhe golin e tretë, e ku sërish shënoi Alba Shabani, tek po zhvillohej minuta e 78-të.
Ndeshja Kosovë-Slloveni do të zhvillohet më 14 nëntor në orën 12:00.