Site icon Telegrafi

Kosova U-18 triumfon ndaj Qipros dhe bën historinë duke u shpallur kampion i Evropës në Divizionin C

Përfaqësuesja e Kosovës U-18 është shpallur kampion i Evropës në Divizionin C pas fitores historike ndaj Qipros (73-64) në finalen e madhe të kësaj gare.

Në duelin e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, skuadra jonë ishte shumë bindëse në çerekun e parë (23:7).

Në dhjetëminutëshin e dytë shënimi i pikëve nuk kishte shumë dallim (16:13), mirëpo Kosova U-18 vazhdoi të ishte në epërsi të lartë (39-20).

https://twitter.com/kosovanfooty/status/1023653418261532672

Pas pushimit, qipriotët u kthyen në lojë duke shënuar tri pikë më shumë se basketbollistët tanë në çerekun e tretë (20:23), ndërsa ishin akoma më bindës në çerekun e fundit (14:21).

Megjithatë, ekipi Kosova U-18 arriti ta mbante epërsinë deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit duke u shpallur kampion evropian në Divizionin C.

Lexo po ashtu Lajmet për Përfaqësuesen e Kosovës në Basketboll

Basketbollistët e Përfaqësueses U-18 të Kosovës u kualifikuan në finalen e madhe, pasi të shtunën e mposhtën Irlandën në gjysmëfinale me rezultat 69-55.

Ndërkaq, në ndeshjen tjetër gjysmëfinale u takuan Qipro dhe Monako, ndërsa fitore regjistruan qipriotët me shifrat 76-64.

https://twitter.com/kosovanfooty/status/1023646330219102215

Qipro ishte ekipi që ia kishte shkaktuar Kosovës të vetmen humbje në këtë Kampionat Evropian dhe atë në fazën e grupeve.

Ndeshjen për vend të tretë, në mes Irlandës dhe Monakos, e fituan irlandezët me dy pikë epërsi (93-91).

Kampionati Evropian FIBA U-18, Divizioni C, ka filluar me 22 korrik dhe përfundoi me 29 korrik në Prishtinë me ceremoninë mbyllëse pas ndeshjes finale.

Skuadra kampione në Divizionin C që është Kosova U-18, nga viti 2019 do të bëjë gara në Divizionin B. /Telegrafi/

Exit mobile version