Shteti i Kosovës po vazhdon sukseset e tyre në garat e xhudos edhe në Grand Prix të Antalyas në Turqi.
Xhudistja nga Kosova, Nora Gjakova e ka mposhtur me lehtësi Kseniia Beldiaginan në çerekfinale të Grand Prix Antalya për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, aty ku mposhti edhe amerikanen, Leilan Akiyama.
Tani, Nora Gjakova ka siguruar medaljen e argjendtë në kategorinë 57 kg, por synon fitimin e medaljes së artë në Grand Prix që po mbahet në Turqi.
Nora në finale do të përballet me xhudisten nga Korea e Jugut, Jandi Kim dhe pritet të jetë një finale shumë interesante.
Finalen e ka siguruar edhe xhudistja tjetër, Distria Krasniqi, e cila fitoi në çerekfinale nga izraelitja, Gefen Primo, ndërsa në gjysmëfinale fitoi ndaj xhudistes nga Turkmenistani, Gulbadam Babamuratova.
Distria Krasniqi ka siguruar medaljen e argjendtë në kategorinë deri 52 kg, por shpreson ta fitojë të artën në përballjen e saj në finale me xhudisten nga Britania, Chelsie Giles.
Fitore ka arritur edhe Fjolla Kelmendi që e mposhti britaniken, Kimberley Renick në çerekfinale deri në kategorinë 47 kg, ndërsa ka siguruar medaljen e argjendtë, pasi u kualifikua në finale duke e mposhtur xhudisten nga Izraeli, Tamar Malca.
Fjolla Kelmendi në finale do të përballet me fituesen e duelit mes Marusa Stangar e Catarina Costa, duel i cili u fitua nga portugezja.
Finalet e Grand Prix Antalya janë programuar për tu zhvilluar në ora 15:00 /Telegrafi/