Site icon Telegrafi

Kosova thyhet në fund, Kroacia fiton me rezultat minimal (Foto/Video)

Kosova ka luajtur një ndeshje të mirë në udhëtim ndaj Kroacisë, por në fund ka arritur të thyhet dhe të humb me rezultat 1-0.

Ndeshja e vlefshme për kualifikimet e botërorit Rusia 2018, e zhvilluar në Maksimir të Zagrebit mes Kroacisë dhe Kosovës, e ndarë në dy ‘akte’ (dje dhe sot) i ka takuar kroatëve, të cilët panë të zitë e ullirit deri sa gjetën golin.

Ky takim u ndërpre dje (e shtunë) në minutën e 21 shkaku i terrenit të rënduar prej reshjeve të mëdha të shiut dhe vazhdoi sot nga po kjo minutë.

Dje, kur u mor vendimi për ndërprerjen e ndeshjes

Rastet më të mira në pjesën e parë ishin ai i Ivan Perisic (24’) dhe i mbrojtësit tonë Amir Rrahmani, i cili në minutën e 27 dështoi të dërgoj topin në rrjetë nga afërsia.

Kështu, pas 45 minutave lojë të pjesës së parë, skuadrat shkuan në pushim me rezultat të bardhë 0-0.

Pamje gjatë pjesës së parë

Në pjesën e dytë, Kroacia rriti presionin për të gjetur sa më shpejt golin, por përfaqësuesja e Kosovës luajti me mençuri duke mos krijuar shumë hapësira për kroatët.

Kosova rastin më të mirë në pjesën e dytë në minutën e 52, ku Valon Berisha gjuajti fortë, por goditja e tij ishte e pasaktë dhe shkoi mbi portë.

Në vazhdim, vendasit kroatë vazhduan sulmet, dhe në fund edhe thyen Kosovën, kur në minutën e 74, Demagoj Vida shënoi me kokë për 1-0 pas asistim perfekt të Luka Modric.

Kroatët në vazhdim provuan të gjejnë edhe golin e dytë dhe të qetësisë, por nuk arritën dhe në fund morën një fitore të madhe me shumë vuajtje 1-0.

Pas kësaj fitore, Kroacia rikthen pozitën e parë në Grupin I me 16 pikë, ndërsa Kosova mbetet e fundit me vetëm një pikë. Në takimin e ardhshëm Kroacia udhëton drejt Turqisë, ndërsa Kosova e pret Finlandën në Loro Boriçi. /Telegrafi/

Exit mobile version