Kosova do të jetë nikoqire e mbledhjes së Komitetit “Hat Trick” të UEFA-s më 13 mars, një ngjarje e jashtëzakonshme për FFK-në dhe shumë e rëndësishme për futbollin në nivel ndërkombëtar.
Komiteti “HatTrick” është një nga organet më të rëndësishme të UEFA-s, i cili ofron mbështetje për projekte të shteteve anëtare me qëllim përmirësimin e standardeve të futbollit, rritjen e mundësive për zhvillimin e lojës në të gjitha nivelet, duke nisur nga futbolli amator deri te ai profesional, si dhe infrastruktura.
Komiteti “HatTrick” drejtohet nga nënkryetari i UEFA-s, suedezi Karl Eric Nilsson, ndërsa nënkryetar i komitetit është Armand Duka, njëherësh zëvendëspresident i parë i UEFA-s. Ata do të udhëheqin këtë mbledhje të rëndësishme, në të cilën do të diskutohet dhe vendoset për avancimin e futbollit nëpërmjet mbështetjes financiare dhe projekteve të tjera zhvillimore. Anëtar i Komitetit “HatTrick” është edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Kjo ngjarje e nivelit të lartë vendimmarrës do të grumbullojë në Kosovë të gjithë anëtarët e Komitetit “Hat Trick”, si dhe figura të tjera të njohura, presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm të federatave më të mëdha të futbollit botëror, përfshirë ato të Anglisë, Gjermanisë, Portugalisë, Francës, Italisë, Norvegjisë, Polonisë, Belgjikës dhe shumë shteteve të tjera.
Organizimi i këtij takimi në Kosovë është dëshmi e fortë e partneritetit të suksesshëm dhe bashkëpunimit të shkëlqyer që UEFA ka me Federatën e Futbollit të Kosovës. Besimi i UEFA-s dhënë FFK-së është gjithashtu një shtysë e jashtëzakonshme për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të futbollit në vendin tonë, duke kontribuar në rritjen e mundësive për të rinjtë dhe infrastrukturën e futbollit.