Telegrafi

Kosova, të enjten anëtare e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal?

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë raportimit para Komisionit për Politikë të Jashtme, theksoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë institucion pritet të konfirmohet së shpejti.

“Kemi pranuar sinjale mjaft pozitive nga shtetet anëtare dhe se ndryshimi i Statutit të kësaj organizate do të kaloj si pikë procedurale në takimin e radhës”, ka paralajmëruar Hoxhaj.

Sipas tij, në këtë organizatë shumë të rëndësishme rajonale pritet të fshihet prezenca e UNMIK-ut dhe të inkorporohet Kosova, si anëtarë i ri.

“Rol të madh në këtë drejtim kanë luajtur shtetet mike si sponsorizues dhe financues të këtij institucioni. Jemi optimist se anëtarësimi i Kosovës në këtë kornizë të bashkëpunimit rajonal do të jetë katalizator i vërtetë në fushën e zhvillimit ekonomiko-social; infrastrukturës dhe energjisë; drejtësisë dhe punëve të brendshme; bashkëpunimit të sigurisë si dhe ndërtimit të kapitalit njerëzor dhe bashkëpunimit ndërparlamentar”, ka theksuar Hoxhaj.

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal është organizata më e madhe rajonale dhe anëtarësimi i Kosovës në të shihet si një hap shumë i rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në sistemim ndërkombëtarë. /Telegrafi/