Site icon Telegrafi

“Kosova i takon Këshillit të Evropës” – ministrja e Jashtme dhe deputeti gjerman kërkojnë nga Gjermania që të votojë në favor të Kosovës

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, është diskutuar sot edhe në Bundetagun gjerman.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në fjalën e saj para deputetëve gjerman ka thënë se “Kosova si vendi më i ri në demokracinë evropiane, i takon Këshillit të Evropës”

“Mirënjohës për punën intensive të deputetëve gjerman. U bëj thirrje të gjithë të përfshirëve dhe Kosovës të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të arritur shumicën e nevojshme për anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Baerbock.

Edhe deputeti konservator gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham u shpreh se Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Ai i bëri thirrje qeverisë gjermane që të marrë në vendim përfundimtar në favor të Kosovës.

“Në debatin për 75-vjetorin e Këshillit të Evropës në Bundestag sot, inkurajova qeverinë gjermane që të marrë një vendim përfundimtar për pranimin e Kosovës pasi të gjitha kushtet janë përmbushur”, u shpreh Abraham.

Lexo po ashtu Gërvalla: Kosova bëri pjesën e saj, presim nga Këshilli i Evropës ta ftojë Kosovën për tu anëtarësuar

Abraham tutje u shpreh se Qeveria e Kosovës ka premtuar në një letër drejtuar Këshillit të Evropës se do të dorëzojë një statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

“Ky është një zhvillim i shkëlqyer i ri! Do të ishte një ide e mirë nëse Komiteti i Ministrave do ta trajtonte këtë çështje në një mbledhje të posaçme në qershor. Ky është një moment historik, dhe qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një hap shumë të rëndësishëm këtu”, ka deklaruar deputeti gjerman.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Lëvizja e Qeverisë vjen në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (16 & 17 maj), ku anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ende s’është futur në rend dite. Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar Kosovës të bëjë hapa konkretë për Asociacionin që t’i garantohet anëtarësimi në Këshill të Evropës. /Telegrafi/

Exit mobile version