Përfaqësuesja e Kosovës dhe ajo e Irlandës së Veriut kanë publikuar tashmë formacionet zyrtare për ndeshjen e tretë të Grupit 2 në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Dardanët janë nikoqir të Irlandës së Veriut në ndeshjen e tretë të Grupit 2, ndeshje e cila pritet të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me fillim nga ora 20:45.
Ekipi i Alain Giresse vjen nga humbja me Greqinë në shtëpi dhe synon t’i kthehet sa më shpejt fitores për të mbetur në garë me grekët për pozitën e parë të Grupit 2.
Në anën tjetër, mysafirët vijnë nga një humbje dhe një barazim nga dy ndeshjet e fundit, por synojnë të bëjnë befasinë në Prishtinë.
Trajnerët e të dyja skuadrave kanë vendosur të paraqiten me formacionet më të mira të mundshme, marrë parasysh mungesat e theksuara.
Giresse ka bërë shumë ndryshime për dallim nga 11-shja titullare në ndeshjen e fundit ndaj Greqisë.
Nga minuta e parë luajnë Samir Ujkani, Donat Rrudhani si mbrojtës i majtë, Florent Muslija në mesfushë dhe Zymer Bytyqi në krahun e majtë të sulmit.
Formacionet zyrtare
Kosova: Ujkani; L.Kastrati, Rrahmani, Kryeziu, Rrudhani; V.Berisha, Dresevic, Muslija; Rashica, Muriqi, Bytyqi;
Irlanda e Veriut: Peacock-Farrell; Ballard, Evans, Brown; Spencer, McCann, Saville, S.Davis, McMenamin; Lavery, Lafferty.
/Telegrafi/