Kampioni i gjashtëfishtë i Kosovës për të rinj në shah, Sulejman Kollari, ka përfaqësuar Kosovën nën flamurin e Shqipërisë në turneun “Karpos Open”.
Kollari thotë se ky turne ishte shumë i suksesshëm për të, pasi ka marrë rejting ndërkombëtar 2108, që është një sukses i jashtëzakonshëm.
“Kam zhvilluar gjithsej nëntë duele, katër prej të cilave i kam fituar, dy kanë përfunduar me barazim dhe tri i kam humbur”.
“Ndihem mjaft i kënaqur pasi kam fituar rejting shumë të mirë ndërkombëtar. Të gjitha duelet ishin interesante, por më duhet që të përmendi duelin me mjeshtrin e madh maqedonas, Orce Dancevskin, të cilin isha pranë ta mposht dhe nga dëshira e madhe për ta mposhtur, i hyra rrezikut dhe në fund me përvojën e tij ai më mposhti”.
“Në përgjithësi jam mjaft i kënaqur dhe ndihem krenar që kam garuar nën flamurin e kombëtares tonë”, është shprehur Kollari për Telegrafin.
Në turneun “Karpos Open” morrën pjesë 60 kryemjeshtër të shahut dhe 30 intermjeshtër të klasit botëror.
Sulejman Kollari është gjashtë herë kampion i Kosovës për të rinj dhe ka përfaqësuar Kosovën në dy kampionate botërore, dy kampionate evropiane dhe një kampionat ballkanik. /Telegrafi/