Telegrafi

Kosova sot përballet me Irlandën e Veriut, legjenda Fadil Vokrri 34 vite më parë ia shënoi dy gola irlandezëve

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kërkuar nga sulmuesit e Kosovës që sonte të japin maksimumin në fushë për të gjetur golin në mënyrë që ato t’i dedikohen legjendës së futbollit të Kosovës Fadil Vokrri në përvjetorin e katërt të vdekjes së tij.

I pari i FFK-së ka publikuar një video me dy golat e Vokrrit pikërisht kundër kundërshtarit të sotëm të Kosovës, Irlandës së Veriut në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 1988, transmeton KosovaPress.

“Sot kur e përkujtojmë Fadil Vokrrin pashmangshëm na kujtohen dy golat që ai i realizoi në kualifikimet për Euro 1988 kundër Irlandës së Veriut, kundërshtarit të sotëm të Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve. Prandaj, shpresoj që sulmuesit tanë të gjejnë rrugën e golit në ndeshjen e sotme për ta realizuar fitoren e radhës si dedikim për legjendën”, ka shkruar Ademi.

Ai po ashtu ka kërkuar edhe përkrahje maksimale nga ana e tifozëve në tribuna.

“Po ashtu, ftoj edhe të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium që të krijojnë koreografi të posaçme për Vokrrin dhe njëherësh të përkrahin në maksimum djemtë e Kombëtares në këtë ndeshje të rëndësishme e të veçantë”, ka thënë ai.

Ja dy golat e Fadil Vokrrit ndaj Irlandës së Veriut: