Site icon Telegrafi

Kosova s’mund të jetë përgjithmonë “qendra e botës”

Megjithëse titulli i shkrimit përcjell një të vërtetë përgjithësisht të ditur, përmes tij do të shfaqi një opinion personal përkitazi me këtë cilësim. Para më se dy muajsh isha i pranishëm në një takim të organizuar nga Parlamenti Evropian për zhvillimet dhe problematikën aktuale në Kosovë.

Si pjesëmarrës dhe folës në njërin prej paneleve, ndjeva për herë të parë drejtpërdrejt dhe nga afër rënien e interesimit të miqve ndërkombëtarë për Kosovën. Këtë ndjesi të papëlqyeshme u përpoqa ta konsideroj një konstatim të gabuar, një keqkuptim timin dhe gjithsesi u mundova ta heq nga mendja. Vazhdoja të isha i sunduar nga ngjarja historike e para një viti kur Asambleja Parlamentare e NATO-s legalizoi dhe i dha vendit tonë statusin e anëtarit vëzhgues në këtë organizatë të madhe politiko-ushtarake.

Asokohe u ndjeva i ngazëllyer nga konsideratat dhe mbështetja e sinqertë e ndërkombëtarëve për shtetin tonë të ri. Nuk mund të kishte lajm më të mirë se sa statusi i anëtarit vëzhgues në AP të NATO-s, para zhvillimit të procesit zgjedhor të 8 qershorit të 2014-s. Kaloi viti i parë i kësaj legjislature dhe premtimet për realizim të nënshkrimin të MSA-së dhe liberalizimin e vizave janë akoma larg. Kjo u duk edhe nga deklarimet e Drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, që vizitoi para pak ditësh Kosovën, të cilat mund t’i konsiderojmë më tepër si dëshmi të karakterit diplomatik, por që flasin për një rënie interesi e përkujdesi të aleatëve tanë ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë.

Dy ngjarje të mëdha brenda një viti na vunë në sprovë si shtet në raport me mbështetësit dhe aleatët tanë të provuar e me kontribute për mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës. Ngërçi politik, pas rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, që e la shtetin tonë 6 muaj pa qeveri, natyrshëm i shqetësoi dhe i nervozoi miqtë tanë. Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë nën kujdestarinë e demokracive të mëdha euro-atlantike. Pas zgjidhjes së ngërçit qeverisës, refuzimi i themelimit të Gjykatës Speciale është një ngjarje që po ashtu po lë gjurmë në marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtarë. Përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-së na kërkuan, në mënyrë gati të drejtpërdrejtë (ku gjuha diplomatike duket e mangët), miratimin e saj. Për këtë dhanë dhe arsye, por deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk votuan apo votuan kundër, i bënë më shumë hyzmet reputacionit të tyre personal e partiak, sesa të sotmes dhe ardhmërisë së shtetit tonë.

Mendoj se arsyeja e shfaqjes së një rënieje të interesimit të aleatëve tanë nuk është thjesht dhe vetëm reagim ndaj veprimeve tona. Rënia e interesimit ndaj Kosovës nuk përkon rastësisht në kohë me problemin Ukrainë, Krime apo së fundmi me atë grek. Kosova në qendër të vëmendjes së perëndimorëve për më se 15 vjet, nuk mund të jetë më e tillë. Ne, që sa kemi hyrë në një raport të ndërsjellë me demokracitë e mëdha botërore, duhet të tregohemi politikisht më të kujdesshëm dhe më mirëkuptues ndaj tyre.

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)

 

Exit mobile version