Kanë kaluar 4 ditë qëkur në Kosovë nuk ka arritur të hyjë asnjë maunë me derivate të naftës dhe gazit nga Serbia, raporton KTV.
Reciprociteti ndaj shtetit serb, i vënë ditë më parë nga ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami, ka nxitur reagimin e krerëve të Serbisë.
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar se Qeveria e tij është duke punuar në zgjidhjen e këtij problemi dhe se kjo çështje ka shkuar deri në Bruksel.
Për më tepër, Vuçiq në një prononcim për media serbe, ka thënë se kjo çështje do të zgjidhet shpejt. Por, vendimi për reciprocitetet sipas Qeverisë së Kosovës, nuk pritet të ndryshojë derisa Serbia të vendosë që t’i njohë certifikatat e shtetit të Kosovës.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se kjo masë vjen, pas përpjekjeve të Kosovës që të eliminohen barrierat, por që Serbia nuk reflektoi.