Telegrafi

Kosova s’ka para për rezerva

Aktualisht pjesa dërmuese e grurit i cili përdoret për prodhimin e miellit hyn nga Serbia.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Lutfi Zharku tha se ligji për rezervat shtetërore është bërë gati nga ministria e Tregtisë dhe sipas tij ai është miratuar kohë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Ish-ministri Zharku tha se në momentin kur është miratuar ligji është planifikuar të implementohet në faza faza në mungesë të buxhetit.

Por, burime të gazetës Zëri brenda ministrisë thonë se ligji për rezervat shtetërore nuk mund të aplikohet edhe një kohe të gjatë, sepse nuk janë krijuar mekanizmat që do ta implementonin atë, por edhe nuk ka mjete të ndara nga buxheti i Kosovës për këtë qëllim as për vitin që vjen.

Edhe Myzejene Selmani, ish-kryetare e Komisionit Parlamentar për Ekonomi ka thënë se ligji për rezervat shtetërore për një kohë të gjatë është zvarritur në Kuvend duke u kthyer prapa për tu plotësuar.

Por, sipas saj në fund ai është miratuar nga Kuvendi i Kosovës vetëm për të marrë nota pozitive në raportin e progresit. “Institucionet duhet të bëjnë çmos që sa më shpejt që është e mundur ta aplikojnë këtë ligj, sepse në mungesë të tij qytetaret e Kosovës mund dëmtohen nga tregtare të papërgjeshëm të cilat përfitojnë në momente të caktuara siç është rasti i fundit ai i shtrenjtimit të bukës”, tha Selmani.

Ligji i hartuar nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë parasheh që rezervat shtetërore të mallrave administrohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, departament në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në pajtim me këtë ligj dhe aktet e tjera nënligjore. /Zëri/Telegrafi/