Telegrafi

Kosova shumë shpejt merr kredi zhvillimore

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe i Financave (MEF), Bedri Hamza, ka thënë për gazetën se kredia që i është aprovuar Kosovës nga Banka Botërore është hapi i parë që dëshmon se vendit tonë po i çelen dyert për mbështetje financiare ndërkombëtare.

“Një pjesë e kësaj kredie do të shfrytëzohet për modernizmin e sektorit publik, ndërsa pjesa tjetër për Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Ne besojmë se ky është një start i mirë dhe ne presim financime edhe më të mëdha të projekteve të tjera në Kosovë”, ka theksuar Hamza.

Zëvendësministri Hamza ka vlerësuar se Kosova është bërë vend i sigurt për të pasur qasje në institucionet financiare ndërkombëtare.

Ndërsa profesori i Universitetit Prishtinës, Isa Tahiri, ka deklaruar për gazetën se do të ishte mirë që të në të ardhmen të mund të merrej kredi dhe në financimin e një pjese të autostradës së kombit.

“Nëse do të ketë investime në autostradë, kjo do të bënte që ato para të qarkullojnë në vend. Kosova duhet të kërkojë kredi të butë me leverdi ekonomike në Bankën Botërore, FMN, Bankën Evropiane”, ka theksuar ai.

Kurse eksperti i ekonomisë, Labinot Lekaj, marrjen e kredisë nga Republika e Kosovës e sheh me ndikim pozitiv për vend edhe në thellimin e raporteve me Bankën Botërore.

“Kosova tani fillon të konsiderohet një vend i sigurt për huadhënie edhe për institucionet e tjera financiare. Destinimi i këtyre mjeteve është dashur të ishte në mbështetje të projekteve kapitale, e jo projekte të natyrës së modernizimit të sektorit publik dhe të pronës, të cilat projekte mund të mbështeten edhe nga mjetet e Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës”, ka thënë ai. /telegrafi/