Site icon Telegrafi

Kosova shton sanksionet ndaj Rusisë

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, zv.ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se nga fillimi i agresionit luftarak të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, Kosova shprehu solidaritet me popullin ukrainas

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit për vitin 2024 ka marrë vendim që t’i shtojë sanksionet ndaj Rusisë.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, zv.ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se nga fillimi i agresionit luftarak të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, Kosova shprehu solidaritet me popullin ukrainas.

Lexo po ashtu Kurti mbledh për herë të fundit kabinetin qeveritar për këtë vit, merren tetë vendime

“Në përputhje me pakon e re të 14-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë të datës 24 qershor dhe në përgjigje të vazhdimit të agresionit rus, është e domosdoshme që Kosova të aprovojë propozimin e ri për masa shtesë”, theksoi Gashi.

Sanksionet, sipas zv.ministres. përfshijnë zgjerimin e listës së personave/entiteteve të sanksionuar me individë apo organizata të reja të ndërlidhura me aktivitetet ushtarake të Rusisë; kufizime të reja sikurse ndalimi i eksporteve të teknologjisë së avancuar dhe mallrave që kanë impakt në kapacitetet industriale dhe ushtarake të Rusisë, si dhe ndalimi i importeve.

Gjithashtu sanksionet përfshijnë edhe sektorin e gazit të lëngshëm natyror, me masë kundër 50 anijeve që Rusia i përdorë për të anashkaluar kufizimet në transportin e naftës dhe karburanteve.

“Duke miratuar këto masa, vendi ynë konfirmon përkushtimin ndaj vlerave demokratike dhe rendit ndërkombëtar si një partner i besueshëm në përpjekje të botës së lirë, për të ndaluar agresionin rus”, shtoi Gashi, para votimit unanim të kabinetit qeveritar.

Exit mobile version