Ka përfunduar me rezultat të barabartë 0-0 pjesa e parë në sfidën mes Rumanisë dhe Kosovës që po zhvillohet në kuadër të Ligës së Kombeve.
Që nga minuta e parë ‘Dardanët’ ishin ekipi më i mirë në fushë duke mos lejuar Rumaninë që të rrezikojë portën e tyre.
Në anën tjetër nuk munguan as rastet për gol madje Kosova i pati disa të tilla, por që mungoi finalizimi i tyre.
I pari që rrezikoi portën e rumunëve ishte Muharrem Jashari i cili në minutën e 17-të bëri një gjuajtje të fortë në drejtim të portës, e cila u prit nga portieri vendas.
Në rast ideal për gol sërish doli Jashari i cili në minutën e 20-të lëshoi një mundësi të artë shënimi, pasi nuk ia doli të mposht portierin e Rumanisë kur ishte ballë për ballë.
Fati nuk ishte me Kosovën as në minutën e 29-të kur patën dy raste të njëpasnjëshme me Edon Zhegrovën dhe Vedat Muriqin të cilët u treguan të pasaktë përballë portës.
Kërcënimi i parë serioz i Rumanisë erdhi në minutën e 42-të kur përmes kapitenit Nicolae Stanciu goditën traversën.
Mbetet të shihet se si do të rrjedhë pjesë e dytë, por nëse Kosova vazhdon të luajë me këtë ritëm goli nuk do të mungojë./Telegrafi/