Telegrafi

Kosova sërish mposhtet nga Greqia në hendboll

Sikurse në ndeshjen e parë, hendbollistët e Kosovës u mposhtën edhe në ndeshjen e dytë nga Greqia për vetëm një gol.

Në ndeshjen e fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2023, që u luajt të dielën në Greqi, vendasit triumfuan me rezultatin 26:25.

Ndërkohë, Greqia e mbylli edhe pjesën e parë në epërsi por prej pesë golave – 15:9.

Mallios Charalampos ishte më i dalluari te grekët me pesë gola të shënuara, i përcjellë nga Evangelos Arampatzis (4) ndërsa Panagiotis Karampourniotis dhe Ioannis Kalomoiros shtuan nga tre gola secili.

Te Kosova, u veçua Valon Dedaj me gjashtë gola ndërsa Egzon Gjuka pati katër gola të realizuar. Me nga tre gola, ndeshjen e mbyllën Drenit Tahirukaj, Luigj Quni e Bujar Ramosaj.

Për Kosovën, kjo është humbja e tretë në katër ndeshje të luajtura në këto kualifikime dhe mbetet e fundit në Grupin 1 me vetëm një pikë.

Ndërsa, Greqia forcon pozitën e parë në tabelë me tetë pikë duke regjistruar katër fitore në po aq ndeshje.