Telegrafi

Kosova së shpejti me statistika mbi kancerin

 

Instituti Onkologjik i Prishtinës me përkrahjen e Spitalit Anadolu-Johns Hopkins së shpejti do të nisë një seri aktivitetesh të koordinuara për parandalimin dhe luftimin e kancerit në Kosovë.

Hulumtimi mbi statistikat dhe arsyet e paraqitjes së kancerit në Kosovë, ndërtimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare hulumtuese në këtë fushë, aktivitete të vetëdijesimit dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatën me renome ndërkombëtare onko-bridge do të jenë fushat, në kuadër të cilave do të zhvillohen aktivitetet.

Lansimi i këtyre aktiviteteve do të bëhet përmes një takimi publik në të cilin do të marrin pjesë të gjithë onkologët, radiologët, hematologët dhe profesionistët tjerë që kanë të bëjnë me kancerin.

Në takim po ashtu do të jenë Dr.Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit onkologjik të Kosovës, Prof dr. Metin Çakmakçi, specialist me renome botërore në kirurgji robotike onkologjike dhe drejtor i breast kancer centre, Prof dr. Serdar Turhal nga Spitali Anadolu-Johns Hopkins dhe njëri ndër personat kyq në organizatën ndërkombëtare onko-bridge dhe Dr.Bilgin Sait me origjinë kosovare që jeton në Turqi dhe që është një ndër ideatorët kryesor të kësaj ndërmarrjeje./Telegrafi/