Kosova së shpejti do të bëhet me Qendrën Nacionale të Xhudos, pasi të enjten është nënshtruar memorandumi i bashkëpunimit mes ministres në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe kryetarit të Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka.
Qëllimi i memorandumit të bashkëpunimit është bashkëfinancimi në realizimin e projektit “Ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë”, që do të realizohet gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm, me një shumë të përgjithshme prej 460 mijë euro.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndajë mbi 300 mijë euro, ndërsa Federata e Xhudos së Kosovës 160 mijë euro.
“Me nënshkrimin e këtij memorandumi, ne sot kemi nisur konkretisht realizimin e një projekti të madh dhe me rëndësi jo vetëm për xhudistët dhe sportin, por edhe për vendin tonë në përgjithësi, sepse përpos rolit praktik që do të ketë Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, ajo do të jetë edhe një imazh në arenën ndërkombëtare për Kosovën, sepse sporti i xhudos ka ndikuar shumë në afirmimin e vendit tonë”.
“Kjo qendër do të jetë edhe një vatër për sportistët që do të vijnë në të ardhmen dhe do të jetë edhe një destinacion për vizitorët e huaj, që janë të interesuar për suksesin dhe historikun e xhudos në vendin tonë”, ka thënë ministrja në detyrë Vlora Dumoshi.
Ndërkaq, nga ana e tij, kryetari Agron Kuka falënderoi ministren Dumoshi për përkrahjen dhe bashkëpjesëmarrjen e MKRS-së në këtë projekt jetik për xhudon në Kosovë.
Ai u shpreh se me ndërtimin e këtij objekti, sportistët do të jenë edhe më të inkurajuar për suksese e rezultate të mëtejme ashtu që t’i sjellin medalje të reja Kosovës në xhudo, por edhe që do të fokusohen në nxjerrjen e talenteve të reja në xhudo.