Site icon Telegrafi

Kosova sanksionon individë dhe entitete që lidhen me regjimin e presidentit bjellorus, Aleksandar Lukashenko

Qeveria e Kosovës miratoi sot vendimin për sanksionimin e 183 individëve dhe 26 entiteteve bjelloruse që lidhen me regjimin e presidentit bjellorus, Aleksandar Lukashenko.

Vendimi për sanksionim është propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar për miratim vendimin për zbatimin e të gjitha sanksioneve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian ndaj regjimit të Lukashenkos”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

Ndërkaq, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi tha se propozimi për miratimin e sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj Lukashenkos përfshin edhe individët dhe entitetet e përfshira në organizmin dhe instrumentalizimin e emigrantëve në kufirin Poloni-Bjellorusi.

“Të gjitha masat e marra janë të miratuara në koordinim të plotë me SHBA-të, BE-në dhe Kanadanë”, tha Gashi.

Ajo bëri të ditur se janë sanksionuar deri tani 183 individë dhe 26 entitete të lidhura me aktivitete të ndryshme negative të lidhura me regjimin e Lukashenkos, manipulimi i zgjedhjeve presidenciale, keqtrajtimi dhe persekutimi i opozitës, ndalimi i dhunshëm i një aeroplani i një linje ndërkombëtare me të burgosur, etj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version