Kosova, mban vendin e pestë në Evropë për posedim të rezervave të linjitit. Këto rezerva përfaqësojnë një prej faktorëve më të rëndësishëm për gjenerimin e energjisë, kështu ka deklaruar zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik Besa Zogaj-Gashi, në hapje të Forumit Ekonomik Kosovë –Greqi me temë “Bashkëpunimi Ekonomik Sfidat dhe Perspektivat”, duke shtuar se Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar projekte të mëdha lidhur me eksploatimin e ri të linjitit, të cilat ofrojnë mundësi unike për kompanitë e interesuara për investim në sektorët e energjisë dhe minierave.
Ajo me tej tha se aseti i rëndësishëm siç janë minierat e Trepcës janë vendburimet polimetalore më të njohura në Evropë për nga madhësia dhe janë konsideruar më tërheqëset nga shumëllojshmëria e mineraleve dhe bukuritë kristalore që ka ky vendburim.
“Si Qeveri, jemi të bindur se Trepça do të paraqesë një prej atraksioneve më të mëdha në Kosovë për të investuar në një të ardhme shumë të afërt. Kosova ka 11 Zona të Interesit që përfshijnë kryesisht zona të pasura me resurse minerare. Investimet potenciale në këto zona, do të mund të bëhen tashmë lehtësisht nga investitorë kredibil nëpërmjet Ligjit për Investime Strategjike, i cili mëton krijimin e lehtësirave për kompanitë e mëdha që duan të sjellin kapitalin e tyre investues në Kosovë”, ka pohuar zëvendësministrja e Zogaj-Gashi.
Kosova sipas saj, ka patur rritje ekonomike prej 4%, derisa vendet e rajonit nuk kanë arritur ta kalojnë rritjen ekonomike prej 2.9%, duke ia adresuar këtë rritje biznesit privat, duke shtuar se kjo ka zvogëluar edhe shkallën e papunësisë nga 35% sa ishte në 2015 në 26% në vitin 2016.
Duke folur për projektet kapitale, ajo ka përmendur Termocentralin “Kosova e Re”, i cili ndodhet në fazën e finale, pra para nënshkrimit të marrëveshjeve komerciale për të kaluar pastaj në fazën tjetër, atë të tenderimit, ndërsa investitori është nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëvendësministrja Besa Zogaj-Gashi, ka bërë të ditur se Kosova në Forumin Botëror Investitorëve Engjëj (World Business Angels Forum) ka marrë çmimin: “Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë”. /Telegrafi/