Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se Kosova rrezikon të humbë edhe disa miliona euro të tjera nga një lëndë tjetër në arbitrazh.
Kjo, pasi sipas Çekut, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur tendencë që të ndërtojë pallat presidencial në objektin ku gjendet sot Ministria e Kulturës.
Çeku tha se ka pasur tendenca që nga qendra e sheshit në Prishtinë të largohet Ministria e Kulturës dhe sipas tij, për këtë qëllim është bërë një kontratë me një operator, ku tha se si ministri po kanë telashe për ta anuluar, pasi që penalltia që do ta paguajnë në këtë rast është e madhe, sepse kontrata ka mundur të shkojë deri në mbi 50 milionë euro.
“Kontrata ka qenë e klasifikuar dhe mezi e kemi deklasifikuar sepse edhe ajo e ka procedurën e vet.”
“Flitet për disa milionë, por juristët tanë tek tani mund të shkojnë dhe ta shohin dhe t’i shohin kushtet e kontratës ose ridestinim të asaj kontrate.”
“Kontrata ka qenë milionëshe për t’i nis renovimet e para, por plani i përgjithshëm, sipas atyre që kanë qenë të involvuar në atë proces, ka mundur të shkojë deri në mbi 50 milionë euro, sepse ka qenë e paraparë që aty të rregullohet edhe rrezja e sigurisë, të ketë edhe shpronësime, mund të llogaritet shpronësimi në atë pjesë të kryeqytetit”, është shprehur Çeku në ATV.
Më tej, Çeku tha se përveç kontratës së parë është bërë edhe një kontratë tjetër, që nga objektet ekzistuese të lëvizin Ministria e Kulturës dhe Ministria e Bujqësisë në një objekt tjetër privat, ku tha se Ministria e Kulturës ka paguar rreth gjysmë milioni euro për një objekt që s’e ka shfrytëzuar.