Telegrafi

Kosova renditet në vendin e 113-të për mjedis biznesi

Në raportin “Të bësh biznes 2010: Reformimi në kohëra të vështira”, të publikuar dje (e martë), Banka Botërore konstaton se vendet e Evropës Lindore dhe shtetet e Azisë Qendrore janë udhëheqës globalë, kur është fjala për ritmin e reformave të biznesit, për të dytin vit radhazi.

Raporti, i siguruar nga Ballkan Insight, konstaton se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përmirësuar mjediset e tyre të biznesit në 10 kategori kryesore. Këto përfshijnë koston e fillimit dhe mbylljes së një biznesi, të punësuarit, regjistrimi i pronës, marrjen e kredisë, tregtia përtej kufijve, mbrojtja e investitorëve dhe zbatimi e kontratave.

Vitin e kaluar, vetëm Rumania ka lejuar mjedisin e saj të biznesit të përkeqësohet në tri kategori: që kanë të bëjnë me lejet e ndërtimit, pagesën e taksave dhe mbylljen e një biznesi.

Megjithëse të ballafaquara me recesionin global, shumica e vendeve kanë arritur të përmirësojnë më tej mjediset e tyre të biznesit gjatë vitit të kaluar, gjë që konsiderohet si thelbësore në tërheqjen e investitorëve.

Maqedonia është vendi që ka bërë përparim më të madh në zbatimin e reformave në Ballkanin Perëndimor. Nga pozicioni 69 (nga 183 sa janë gjithsej) më 2008, Maqedonia u ngrit në pozicionin e 32 këtë vit, në saje të përmirësimeve në pothuajse të gjitha 10 kategoritë kryesore.

Bullgaria mban pozitën 44, ndërsa Sllovenia ka përmirësuar renditjen e saj nga 58 në 53. Rumania ka rënë poshtë dhjetë pozicione në vendin e 55-të në listë. Mali i Zi është vlerësuar si i 71-ti, Shqipëria e 82-ta, Serbia e 88-ta kurse Kroacia është vendosur e 103-ta.

Kosova zë vendin e 113-të, ndërsa e fundit nga vendet e Ballkanit është pozicionuar Bosnja, e 116-ta. /rtk/