Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje prej 1-0 nga Finlanda në ndeshjen e zhvilluar në “Loro Boriçi” në Shkodër, të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror, ‘Rusia 2018’.
Posedimi i topit në gjysmën e parë ishte lehtësisht në favor të mysafirëve dhe i tillë ishte edhe gjatë gjithë ndeshjes (48-52 për qind).
Përpjekjet për të shënuar ishin pesë me katër në favor të Kosovës, mirëpo asnjëra e as tjetra skuadër nuk e dërgoi topin brenda kuadratit të portës.
Finlanda arriti ta dërgojë një herë topin në rrjetë, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Ashtu që kur përfunduan 45 minutat e para, rezultati ishte ai i fillimit të ndeshjes (0-0).
Edhe në gjysmën e dytë, përkundër angazhimit të skuadrës sonë, nuk u krijua ndonjë rrezik potencial shënimi.
Në një periudhë të lojës, vizitorët ishin më ofensivë dhe kërkonin të shënonin, mirëpo lojtarët tanë ia dolën që të mos pranonin gol.
Shanset nuk munguan edhe për Kosovën. Një goditje të mirë e dërgoi edhe Amir Rrahmani me kokë, por ishte mbi portë.
Në minutën e 83-të u thye faza mbrojtëse e Kosovës dhe Teemu Pukki e zhbllokoi rezultatin.
Kjo ishte humbja e shtatë e përfaqësueses së Kosovës nga tetë ndeshje të zhvilluara në kualifikimet për Kampionatin Botëror.
Kujtojmë që barazimin e vetëm e ka realizuar pikërisht kundër Finlandës, si mysafir. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=Zv_p1rf3OTo