Telegrafi

Kosova refuzoi disa donacione të vaksinës Astrazeneca, për shkak të afatit të skadencës

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë refuzuar disa donacione me vaksina Astrazeneca nga shtete evropiane gjatë muajit korrik të këtij viti.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka bërë të ditur gjatë konferencës për medie, se refuzimi i këtyre vaksinave është bërë me rekomandim të Komitetit të Vaksinimit.

Sipas ministrit Vitia, donacionet janë refuzuar për shkak se afati i skadencës nuk ishte i mjaftueshëm për të garantuar se do të mund të shfrytëzoheshin për t’i vaksinuar qytetarët.

“Janë refuzuar disa donacione, për të vetmen arsye sepse komiteti i vaksinimit është një trup profesionale. Kanë qenë oferta për vaksina Astrazeneca, pas donacionit nga Norvegjia, që kanë pasur një afat skadencë jo optimal që do të na kishte garantuar që t’i administrojmë tek qytetarët tanë. Me rekomendim të Komitetit të Vaksinimit, natyrisht ne i kemi falënderuar dhe i kemi refuzuar për shkaqe të cilat i përmendëm”, tha Vitia. /Telegrafi/