Përfaqësuesja e Kosovës U-16 për vajza ka shënuar fitoren e dytë në kuadër të turneut ‘UEFA Development U-16’, që po zhvillohet në Qendrën Sportive Kombëtare në Kamëz, nën organizimin e FSHF-së.
Pas fitores ndaj Andorrës (3:1), vajzat dardane patën paraqitje të mirë edhe në duel me vajzat kuqezi. Ato kaluan në epërsi qysh në minutën e 6-të, me golin e Olsa Maqastenës, duke dëshmuar kësisoj se edhe në takim objektiv të vetëm e kanë fitoren.
Më pas ishin vajzat kuqezi ato që bën trysni drejt portës kosovare dhe si rrjedhojë në minutën e 38-të arritën të barazojnë shifrat, me golin e Xhesika Ndojit.
Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e baraspeshuar, derisa 10 minutat e fundit të ndeshjes Kosova i zhvilloi me 10 lojtare në fushë, pasi Aurora Cakolli u ndëshkua me karton të kuq. Por këtë periudhë loje të përzgjedhurat e Albina Rrahmanit, e menaxhuan mirë dhe nuk lejuan kundërshtaret të rrezikojnë portën.
Ndërkohë, në serinë e penalltive, më të mira u treguan vajzat e Kosovës, të cilët në fund fituan 2:0. “Këtë takim e kemi përgatitur pak më mirë. Pjesa e parë ishte e mirë, pasi krijuam lojë, ndërtuam aksione dhe kishim më shumë raste. Megjithatë, këto ishin mundësitë tona fizike. Vajzat duhet të punojnë ende shumë në klubet e tyre. Gjithsesi, një fitore tjetër, një eksperiencë me shumë për vajzat, të cilat po rriten pas çdo ndeshje. Në fund të ndeshjes ato e përjetuan edhe presionin e lojës me një lojtare më pak, por edhe presionin e gjuajtjeve të penalltive. Por e menaxhuam mirë situatën dhe në fund fituam”, ka theksuar pas ndeshjes përzgjedhësja, Albina Rrahmani. Ndeshjen e tretë dhe të fundit në këtë turne Kosova e zhvillon më 12 mars kundër Moldavisë, në orën 12:30.