Site icon Telegrafi

Kosova raporton për Dialogun Ekonomik-Financiar mes KE-së dhe Ballkanit Perëndimor e Turqisë

Tashmë është bërë viti i tretë që Kosova dorëzon Programin për Reforma në Ekonomi (‘Economic Reform Programme’- ERP) në Komisionin Evropian.

ERP paraqet nivel të rëndësishëm të komunikimit mes Kosovës dhe BE-së, përmes të cilit Kosova raporton mbi Qeverisjen Ekonomike sipas Procesit të Semestrit Evropian. Ky dialog është shtylla kryesore mbi të cilën mbështetet përafrimi i qeverisjes ekonomike të shteteve kandidate me atë të BE-së.

Si pjesë e këtij procesi më 16 maj Kosova mori pjesë në takimin e Dialogut Ekonomik dhe Financiar në Bruksel, ku si anëtar i barabartë me shtetet e rajonit dhe Turqinë kontribuoi në diskutimin e përgjithshëm mbi pritjet makrofiskale dhe reformat strukturore me ndikim në zhvillimin ekonomik.

Delegacioni që u kryesua nga Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, falënderoi Komisionin Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane për vlerësimin e ERP-së si një dokument kualitativ për nga aspekti analitik dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga ky proces.

Vlerësimi i ERP-së dhe rekomandimet përkatëse do të publikohen në faqen zyrtare të Komisionit Evropian pas datës 23 maj, kur planifikohet të miratohen konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare. /Telegrafi/

Exit mobile version