Telegrafi

Kosova provon të kthejë preferencat tregtare me BE

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka konfirmuar për Radio Kosovës se autoritetet kosovare javën e ardhshme, në Bruksel, pritet të diskutojnë për kthimin e këtyre referencave tregtare me BE-në.

Kompanitë kosovare me shumë vështirësi kanë arritur të depërtojnë në tregjet evropiane. Por, si pasojë e ndërprerjes së preferencave tregtare me BE-në, tashmë po i humbin ato tregje.

Fabrika për prodhimin e lëngjeve “Laberion” nga Podujeva, ka eksportuar rreth 35 për qind të prodhimit, përfshirë edhe vendet e BE-së. Pronari Bashkim Osmani thotë se gjatë çerekut të parë të këtij viti kanë pësuar rënie të ndjeshme krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Që nga fillimi i këtij viti, Kosova nuk i gëzon preferencat tregtare, të cilat i vendos BE-ja për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Produktet kosovare nuk mund të eksportohen në vendet e BE-së pa iu nënshtruar tarifave doganore apo kufizimeve për sasitë.

Ndonëse kanë kaluar katër muaj që kur janë ndërprerë këto preferenca, ende nuk dihen se sa janë humbjet që i shkaktohen ekonomisë kosovare. Sipas disa vlerësimeve, ato përllogariten të jenë në vlerë prej 130 milionë eurosh, por Ministria e Tregtisë dhe Instustrisë është duke bërë një analizë rreth humbjeve eventuale. /Telegrafi/