Telegrafi

Kosova promovon investimet para kompanive bavareze

Konferenca është organizuar bashkërisht nga Zyra në Vjenë e Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve (APIK), Oda e Munihut për Industri dhe Tregti (IHK München) dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani, me qëllim të prezantimit të mundësive për investime në Kosovë.

Kompanive gjermane u jane drejtuar Ministri i Tregtisë dhe Industrisë – Lutfi Zharku, ambasadori Vilson Mirdita, udhëheqësi i zyres së APIK-ut në Vjenë – Kujtim Dobruna, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës – Besim Beqaj si dhe përfaqësues të Odës së Munihut për Industri dhe Tregti, investitorë gjerman të pranishëm në Kosovë, përfaqësues të GTZ-së gjermane dhe programeve të USAID.

Ministri Lutfi Zharku ka garantuar përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për investitorët e huaj, duke përmendur edhe qëllimin e nënshkrimit të një marrëveshjeje për mbrojtjen e investimeve në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, njejtë siq është bërë me Austrinë para disa javësh.

Zyra e APIK-ut në Vjenë dhe programet e USAID në sektorin privat u kanë ofruar investitorëve potencial shërbime konkrete për ti lehtësuar investimet e tyre në Kosovë. Vetë pjesëmarrja kaq e madhe në konferencë, që ka befasuar edhe organizatorët, është fakt i qartë që interesimi i investitorëve nga rajoni gjermanofolës për Kosovën është në rritje, tha Kujtim Dobruna, udhëheqës i zyres së APIK-ut në Vjenë.

Pas përfundimit të prezantimeve dhe diskutimeve në konferencë, përfaqësuesit e Institucioneve të Kosovës kanë pasur një numër të madh takimesh direkte me investitorë potencial ku janë diskutuar mundësi konkrete për investime e bashkëpunim ekonomik.