Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës njofton se me pjesëmarrjen e më shumë se 60 subjekteve hoteliere, po merr pjesë në “Panairin Ndërkombëtarë të Pajisjeve të Industrisë së Hotelerisë” i cili po organizohet nga Qendra e Panaireve dhe Kongreseve (ANFAS) në Antali tëTurqisë.
Sipas njoftimit, qëllimi kryesor i këtij panairi është promovimi i hotelerisë dhe pajisjeve industriale të saj duke i kushtuar rëndësi edhe promovimit të mjeteve të punës të cilat përdoren në këtë industri.
“Çdo vit ky panair tërheq numër shumë të madh vizitorësh, si ishte rasti në vitin 2019 që në këtë organizim kanë marrë pjesë më shumë se 44,625 vizitorë nga e tërë bota. Përfaqësuesit e OHTK-së po marrin pjesë në këtë panair, duke e parë si mundësi për promovimin e Odës dhe subjekteve të saja anëtare por në theks të veçantë për promovimin e sektorit të hotelerisë dhe gastronomisë të Kosovës. Ky panair është rrugë shumë e mirë që do të na lejojë të gjejmë të gjitha mundësitë dhe do të na ndihmojë që të arrijmë objektivat tona si organizatë por edhe si shtet”, thuhet në njoftimin e OHTK-së.
Në fund kjo Odë thotë se do të zhvillohen takime për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me subjekte hoteliere në Turqi. /Telegrafi/