Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, së bashku me kompani kosovare që merren me agrobiznes, janë duke marrë pjesë në panairin “Fruit Logistica” i cili po mbahet në Berlin të Gjermanisë.
Gjatë këtij panairi kompanitë kosovare janë duke promovuar produktet e tyre si dhe janë duke zhvilluar kontakte të reja të cilat mund të rezultojnë me marrëveshje bashkëpunimi në të ardhmen. Ndërsa, përfaqësuesit e KIESA-s në bashkëpunim me përfaqësuesit e USAID-it të projektit “Regional Economic Growth” (REG), janë duke zhvilluar takime me kompani gjermane importuese.
Panairi “Fruit Logistica” paraqet një pasqyrë të plotë të inovacionit në sektorin e prodhimit të frutave dhe perimeve dhe është një mundësi e mirë për krijimin e kontakteve me personat kyç të kompanive të mëdha të këtij sektori.
Në këtë panair marrin pjesë mbi 2600 ekspozues (kompani të mëdha globale dhe kompani të mesme të sektorit të Agrobiznesit) dhe mbi 60 000 vizitorë tregtarë.
Kompanitë kosovare që po marrin pjesë në këtë panair janë: “Pema Kovrage”, “Eurofruti”, “Moea”, “Fungo Sh.P.K.” dhe “Hit Flores”.
Panairi “Fruit Logistica” mbahet në Berlin nga data 4 deri më 6 shkurt 2015. /Telegrafi/