Site icon Telegrafi

Kosova pret mbështetjen e Sllovenisë për FSK-në

Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj.

Në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe diplomatit slloven Bertoncelj, u fol veç tjerash, për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Sllovenisë, në veçanti për bashkëpunimin e mirë dypalësh ndërmjet MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Sllovenisë.

Ministri Berisha, tha se pret nga shteti slloven, që këtë mbështetje për Kosovën ta intensifikojë duke pasur parasysh sfidat e sigurisë në rajon e më gjerë, e sidomos kërkoi mbështetje në rrugëtimin Euro-Atlantik të Kosovës.

Sa i përket të ardhmes së FSK-së, ministri Berisha, tha se shteti i Kosovës në vazhdimësi është duke informuar dhe koordinuar me NATO-n, shtetet partnere dhe partnerët strategjikë rreth planit të Kosovës për të ardhmen e Forcës, dhe se për këtë temë do të jemi plotësisht transparent, në mënyrë që vendimet rreth transformimit të FSK-së, dhe të ardhmes së saj mos ta befasojnë askënd.

Edhe ambasadori i Sllovenisë,  Bojan Bertoncelj shprehu gatishmërinë e  Sllovenisë, për fokus të vazhdueshëm ndaj zhvillimeve në dhe rreth Kosovës, si dhe për avancimin e bashkëpunimit me Kosovën, në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, por edhe për të qenë e angazhuar në Kosovë edhe më tutje për ta mbështetur këtë vend mik në agjendën e saj evropiane./Telegrafi

Exit mobile version