Përfaqësuesja e Kosovës ka marrë pjesë për herë të parë në kualifikime të një Kampionati Evropian pas pranimit me të drejta të plota në UEFA e FIFA.
Dardanët kanë zhvilluar shtatë ndeshje deri më tani duke arritur të marrin 11 pikë, një sukses i jashtëzakonshëm.
E ndeshjen e tetë në këtë kampanjë kualifikuese, Kosova do ta luaj ndaj ish-kampionit të Botës, Kombëtares së Anglisë e cila ka zbarkuar në kryeqytetin kosovar.
Edhe pse gjasat për kualifikim më nuk ekzistojnë, trajneri Bernard Challandes ka bërë të ditur se Kosova do të futet në fushë për ta fituar ndeshjen në mënyrë që të grumbullojmë sa më shumë pikë.
Për të njëjtin qëllim, që ta fitojnë ndeshjen vijnë edhe anglezët, por mbetet të shihet nëse do të thyhet Kosova në stadiumin Fadil Vokrri, ku ende nuk kanë pësuar humbje.
Anglezët janë favoritë për ta fituar takimin, por Dardanët kanë treguar edhe në Angli se nuk janë inferiorë as ndaj tyre dhe as ndaj asnjë kundërshtari me të cilin janë përballur në këto kualifikuese.
Ndeshja mes Kosovës dhe Anglisë ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm dhe stadiumi Fadil Vokrri si gjithmonë pritet të jetë i stërmbushur.
Ky takim pritet të fillojë me fillim nga ora 18:00. /Telegrafi/