Site icon Telegrafi

Kosova pothuajse “në fund të pusit”, publikohen rezultatet e testit PISA

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.

Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë.

Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë.

 

Rezultatet e testit “PISA 2022” janë publikuar të martën, ndërsa u prezantuan nga Ministria e Arsimit në një konferencë për media.

Ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, tha se rezultatet kanë qenë të pritshme.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve”.

“Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por, ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

PISA është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.

Testet eksplorojnë se sa mirë studentët mund të zgjidhin probleme komplekse, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të komunikojnë në mënyrë efektive. Kjo jep njohuri se sa mirë sistemet arsimore po i përgatisin studentët për sfidat e jetës reale dhe suksesin e ardhshëm.

Studentët iu nënshtruan testeve prej dy orësh, secili kushtuar një lënde. Nxënësve të ndryshëm iu dhanë pyetje të ndryshme testimi dhe kombinime të ndryshme lëndësh (p.sh. matematika e ndjekur nga lexim, ose shkenca e ndjekur nga matematika, etj). Artikujt e testit ishin një përzierje pyetjesh me zgjedhje të shumëfishta të cilat kërkonin që studentët të formulonin përgjigjet e tyre.

Kosova mori pjesë për herë të parë në PISA në vitin 2015. Duke krahasuar rezultatet në nivel ndërkombëtar, politikëbërësit dhe edukatorët në Kosovë mund të mësojnë nga politikat dhe praktikat e vendeve të tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version