Site icon Telegrafi

Kosova po ushtron legjitimitet shtetëror dhe jo institucional në veriun e Mitrovicës

Koncepti i shtet formimit nuk është një koncept i ri në historinë e organizimit të shoqërisë, por si i tillë daton qysh herët në përpjekjet e para qe ka bërë njerëzimi për organizim në grupe, klane, si dhe territore të caktuara. Sido qe të jetë, e drejta ndërkombëtare nuk njeh norma të prera mbi të cilat shtetet janë krijuar. Më tepër është konsideruar si një zhvillim spontan i shoqërive, brenda një kohe dhe territori përkatës.

Fakti se a janë shoqëruar këto zhvillime me nevojat që kanë lindur nga diversitetët kulturore të shoqërive ku kanë jetuar apo të drejtat për të ushtruar legjitimitet? Kjo paraqet një enigmë historike si në rrafshin diplomatik ashtu dhe atë institucional nëse më parë këto shoqëri veç i kanë takuar një territori të caktuar.

Ngjashëm, edhe intervenimet e fundit të shtetit të Kosovës në veri, për të shpërbërë strukturat paralele serbe, si dhe për të vënë rendin dhe sundimin e ligjit janë konsideruar si të rëndësishme dhe shumë të nevojshme për të ruajtur këtë legjitimitet shtetëror në raport me sjelljet institucionale që Kosova kishte bërë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Pra, vendosja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë ka paraqitur sjellje korrekte dhe të konsoliduar shtetërore, që Kosovën e nxjerrë të jetë shtet fqinjë që ka përgjegjësitë e veta rajonale dhe merr obligime ndërkombëtare.

Koordinimi me faktorin ndërkombëtar EULEX-in dhe KFOR-in, janë pika e fortë e gjithë këtij intervenimi për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës. Edhe me gjithë pretendimet për ta institucionalizuar që nga fillimi, prapë se prapë mbetët brenda kornizave të koordinimit të mirë me komunitetin ndërkombëtar dhe gatishmërinë që Kosova ka për të pranuar obligimet ndërkombëtare për respektimin e fqinjësisë së mirë dhe ruajtjen e raporteve reciproke shtetërore. Fundja një përpjekje e tillë, pa koordinimin me komunitetin ndërkombëtar, jo vetëm që do të kishte qenë e pa mundur fizikisht por edhe Kosova do të humbte edhe një lojë politike në raport me komunitetin ndërkombëtar.

Një epilog i mundshëm i bisedimeve politike me Serbinë

Është e kotë të thuhet që bisedimet me Serbinë nuk janë politike, aq më tepër në raportet që këto dy vende aktualisht ndodhën. Të flasësh për vulat doganore, marrëveshjet e fqinjësisë së mirë dhe aspektet tjera, aspak nuk e përjashtojnë nocionin “bisedime politike”. Fundja si mund të jenë bisedimet teknike, kur deklaratat e te dy palëve janë krejtësisht deklarata politike, dhe shprehin qëndrimet e palëve duke i paraqitur ato në konflikt.

Pavarësisht që të dy palët nuk kanë qenë asnjëherë realiste karshi qëndrimeve të tyre, se kinse po bëhet dialog teknik mes tyre duke aloduar se ato ishin fitimtare. Aq më tepër derisa të mos ketë një qëndrim real, dhe një qasje reale mbi atë që bisedohet, nuk do të ketë bisedime të suksesshme, me opsesionin kush do të dal fitues.

Këto qëndrime e kanë bërë edhe më të paqartë perspektivën e këtyre bisedimeve jo vetëm për qytetarët e të dy vendeve, por edhe për vetë komunitetin ndërkombëtar. Aktualisht, askush nuk pret shumë prej këtyre bisedimeve, as qytetarët e Kosovës, e as ata të Serbisë, pra, ngjajnë me bisedime sa për sy e faqe, dhe sa për te plotësuar dëshirat e bashkësisë ndërkombëtare.

Në anën tjetër, presioni ndërkombëtar mbi palët, vjen si rezultat i tërheqjes së palëve në marrëveshje reciproke, pikërisht kur Kosova do të filloj procesin e liberalizimit të vizave në pranverën e ardhshme, ndërsa Serbisë ti hapën dyert drejtë Bashkimit Evropian. Me këtë rast, vendet do të detyrohen të bisedojnë për çështje të rëndësishme politike dhe ekonomike.

Pra, komuniteti ndërkombëtarë do ta ketë të lehtë që në të ardhmen ti detyroj që këto dy vende të vazhdojnë bashkëpunimin reciprok institucional dhe ekonomik. Kjo do të jetë e vështirë për Serbinë, që në mes BE-së dhe Kosovës do të jetë e detyruar të zgjedh BE-në, pikërisht kur kërcënohet me krizën ekonomike e cila tashmë veç ka filluar. Ndërsa Kosova në mënyrë të pashmangshme është e obliguar të ndjekë rrugën e Bashkimit Evropian, dhe plotësimin e standardeve dhe obligimeve tjera ndërkombëtare.

(Autori është Drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë në Kolegjin Universitar Universum)

Exit mobile version