Retorika politike e stërpëpërsëritur, më shumë ideologjike, e nënës Shqipëri ka filluar të zbehet, ngase realiteti historik dëshmoj se aleat i njëmendët i shqiptarëve ishin dhe janë amerikanët, ata ndihmuan Shqipërinë të inkuadrohet në NATO, ashtu siç ndihmuan Kosovën të çlirohet dhe të pavarësohet. Ndihma e vëllait të madh nuk është e kufizuar, ata ndihmuan Evropën të çlirohet nga çizmja e Hitlerit, ashtu siç ndihmuan atë të këndellet ekonomikisht përmes planit ekonomik Marshall, pra ndihma është parimore, ndihmë e cila mbështetet në parimet më të larta demokratike.
Kosova e cila shpesh është shigjetuar si shtet që lëkundet nga valët e krimit të organizuar dhe korrupsionit po rikthehet në arenën ndërkombëtare si një vend i perspektivës dhe stabilitetit rajonal, që përveç arritjeve të shumta në shumë lëmi, fitoi në përmbajtje me fitoren bindëse në GJND, duke mënjanuar dyshimet e deritanishme të shumë shteteve që kishin skepticizëm në validitetin e aktit të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Sigurisht që pranimi diplomatik i Kosovës do të përshpejtohet dhe se arka e njohjeve do të mbushet shumë më shumë se numri 69 i njohjeve të deritanishme.
Ç’është më e rëndësishme do të ketë edhe ngjeshje të brendshme politike, risi e cila sipëroi menjëherë pas kthimit të kryeministrit Thaçi nga SHBA, se dalëngadalë UNMIK-u më herët, tash edhe EULEX-i duhet të përgatiten për të paketuar valixhet për kthim mbrapa, për ta lënë Kosovën (me SHBA) vet të përballet me të ardhmen e saj shtetërore. Këto fjalë të kryeministrit të Republikës së Kosovës u bënë edhe më të fuqishme pas prononcimit të Filip Gordon, ndihmës/sekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe të Euro-Azisë i cili tha “Duam ta shohim Kosovën tërësisht të pavarur, që nuk ka nevojën e pranisë ndërkombëtare”.
Ky referim diplomatik është shumë i çmueshëm, hap një kapitull të ri në arenën e re ndërkombëtare, duke shërbyer si shembull i veçantë i arritjes së synimeve shtetëformuese përmes një partneriteti të jashtëzakonshëm politik dhe diplomatik disavjeçar të Kosovës dhe SHBA. Në tërë këtë konglomerat ndryshimesh dhe krijimit të një aleance të fuqishme të këtyre dy shteteve të miqësisë së përbotshme të “Davidit dhe Goliatit”, mund të shërbej si model i ndryshimeve politike dhe diplomatike në botë, duke hapur shtigjet e tolerancës dhe mirëkuptimit edhe në shtetet e Lindjes së Mesme, për t’i lënë anash hasmëritë e deritanishme të luftës, për të zgjedhur rrugën e bisedimeve dhe paqes, për t’i dhuruar popujve perspektivën dhe zhvillimin. Mbylljet dhe politika izoluese u ka sjellë njerëzve në botë shumë padrejtësi, filluar nga Shqipëria e cila sipas renditjes alfabetike ishte në krye të listës së shteteve me një të kaluar izolacioniste e deri në ditët e sotme duke përfshirë Kubën, Venezuelën, Koren e Veriut…deri te shteti që u prin listës së shteteve sipas listës së OKB-së Afganistanit, i cili ishte shteti i parë që pranoi vullnetin e popullatës shumicë në Kosovë, pranoi subjektivitetin shtetëror politik dhe diplomatik të Kosovës. Nuk ishte edhe aq i rastësishëm fillimi i mbarë i konslodimit shtetëror të Kosovës, meqë e mbara filloi nga njëshi në alfabetin e shteteve që fillojnë me shkronjën A, me të cilën zanore fillon belëbëzimi i fëmijëve, fillojnë alfabetet e të gjitha gjuhëve botërore.
Sigurisht që pas verdiktit të 15 gjykatësve të GJND-së 10:4 në favor të Kosovës, me një abstenim, e ardhmja e Kosovës dhe qytetarëve të saj do të jetë krejt ndryshe; qeveria e Kosovës fitoi të drejtën e tapisë mbi te, Kosova do të shërbej në praktikën gjyqësore ndërkombëtare si shembull i veçantë i zgjidhjes së problemeve ndërkombëtare, i një përpjekjeve me dekada të durueshme për të realizuar përfundimisht ëndrrën e shumë gjeneratave të kaluara. Edhe pse kjo gjeneratë e politikanëve dëshiron t’i privon të gjitha meritat politike, nuk ka të drejtë, ngase lufta titanike e popullit ka filluar shumë herët e sidomos me hapjen e Universitetit të Kosovës, pastaj me punën dhe angazhimin e çmueshëm të shumë gazetarëve, të RTP-së, më herët…, ashtu si nuk kanë të drejtë disa sish që t’ua shpërfillin meritën kësaj plejade fatlume të politikanëve që rrumbullakuan shtetësinë e Kosovës, duke marrë mbi vete guximin e përgjegjësisë historike.
U pa hapur se shumica e kritikuesve të nënshkrimit në Paris dhe të bisedimeve në Ramboulliet nuk kishin të drejtë, as ata që shpërfillnin deklarimin e qytetarëve në vitet 90-ta të Deklaratës Kushtetuese, të Kushtetutës së Kaçanikut, të referendumit për pavarësi, as të atyre që avancuan statusin e Kosovës në rang të autonomisë territoriale, por as të tjerët që hatëroheshin nga lëshimet e Pakos Ahtisaari. Edhe pse me të drejtë shumëçka ishte sfilatë e organizuar nga SHBA dhe partnerët tjerë, në të cilën parakalonin politikanët e kësaj gjenerate, duke mos bërë as një vërejtje më të vogël në tekstin e prezentuar, ndoshta me të drejtë, ngase ishin buzëqumësht dhe të papërvojë, por dosido punët-shkuan ashtu si shkuan, ata fituan ndeshjen, e cila përfundojë me një rezultat goxha bindës në favor të shqiptarëve, rezultati 10:4 është bindës, shumë bindës.